Dmitri Chirciu
19 Janar 2021•Përditësim: 19 Janar 2021
Për opozitarin rus Alexey Navalny, i cili u arrestua në Moskë menjëherë pas kthimit nga Gjermania, është vendosur paraburgim 30-ditor me arsyetimin se ka shkelur vazhdimisht lirimin me kusht, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në gjykatën e themeluar në policinë e rrethit Khimki të kryeqytetit Moskë, u zhvillua seancë gjyqësore me arsyetimin se "shumë herë e ka shkelur lirimin me kusht që nga 29 dhjetor 2020".
Avokati Vladimir Kobzev, në deklaratën nga rrjetet sociale, theksoi se Navalny është shpallur fajtor nga Gjykata Rajonale e Himkinskiy. "Është vendosur për paraburgim 30-ditor për Navalny deri më 15 shkurt", tha ai.
Navalny do të qëndrojë në paraburgim deri më seancën gjyqësore të 29 janarit që do të zhvillohet në Gjykatën Rajonale Simonovskiy në Moskë.
Ndryshe, 44-vjeçari Navalny është një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin. Ai u sëmur në muajin gusht të vitit 2020 gjatë një fluturimi për në Moskë. Pas aterimit emergjent në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital rus dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim.
Pas testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë thanë se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor "Novichok", i cili gjithashtu u përdor, sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, në një sulm të vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik të Salisbury.
Navalny u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Moskës nga Gjermania.