Hasan Esen
21 Shkurt 2019•Përditësim: 22 Shkurt 2019
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka bërë të ditur se për të “mbrojtur popullin” këtë mbrëmje do të mbyllet kufiri me Brazilin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim në transmetim të drejtpërdrejtë, Maduro tha se kufiri me Brazilin do të mbyllet sonte deri në një njoftim të ri.
Ai ka bërë të ditur se arsyeja e këtij vendimi është "për të mbrojtur popullin" dhe ka shtuar se nuk përjashton mbylljen e kufirit edhe me Kolumbinë.
Duke theksuar se do të vazhdojnë të vlerësojnë mbylljen e kufijve me vendet e tjera fqinje, Maduro paralajmëroi ushtrinë kolumbiane të mos filloj asnjë provokim kundër Venezuelës.
Ndër të tjera, Maduro theksoi se do konsiderojnë përgjegjës presidentin kolumbian, Ivan Duque, në rast se përjetohen ngjarje të dhunshme më 23 shkurt, datë për të cilën opozita ka njoftuar se do të realizohet hyrja e "ndihmave".
Pas Kolumbisë, edhe Brazili deklaroi se do të dërgoj "ndihma humanitare" në kufirin me Venezuelën.
Qeveria venezueliane më herët pezulloi edhe transportin detar dhe ajror me ishullin Curacao të kontrolluar nga Holanda, për të cilën, siç u njoftua, do të jetë qendra e shpërndarjes së "ndihmave".
Lidhur me debatet për ndihmat, Maduro ka theksuar se ato "janë një pjesë e strategjisë së pushtimit amerikan" dhe se "nuk do të lejojnë këtë shfaqje".
Ndërsa opozita, duke mbrojtur idenë se në vend duhet të hyjnë ndihma, pretendon se 300 mijë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente dhe se 2 milionë njerëz po përballen me rreziqe shëndetësore.