Bekim Laci
29 Nëntor 2018•Përditësim: 30 Nëntor 2018
SHKUP (AA) - Shkupi sot ishte nikoqir i Këshillit të gjashtëmbëdhjetë të ministrave të Komunitetit Energjetik ku janë marrë një sërë rekomandimesh mbi legjislacionin dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me energjetikën e vendeve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media pas Samitit, zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Koço Angjushev tha se Bashkësia Energjetike është një institucion shumë domethënës, pasi rajonit i dha një impakt shumë të rëndësishëm në aspektin e përshtatjes së legjislacionit me atë të BE-së, pasi siç tha, energjetika nuk përkufizohet tek respektimi i kufijve të shteteve, por më gjërë se kjo.
Është me rëndësi të theksohet, tha Angjushev, se Komuniteti Energjetik ka vendosur në listën e tij të prioriteteve projektet e Maqedonisë për interkonjeksion me vendet tjera.
“Bëhet fjalë për largpërçuesin Manastir - Elbasan dhe projekti për konjeksion të gazit me Greqinë që është një nga prioritetet e qeverisë si dhe që do të thotë se më lehtë do të gjenden financat përmes institucioneve financiare por edhe përmes granteve”, tha Angjushev, i cili pret një impakt pozitiv nga projektet, sidomos nga fakti se Maqedonia tashmë është e ndërlidhur me largpërçues me shtetet e rajonit, për çka lidhja me Shqipërinë do të rrumbullakojë interkonjeksionin.
Ai tha se aktualisht po punohet në aktet nën-ligjore të cilat do të mundësojnë hapjen e centraleve nga burime të rinovueshme, të cilat në tre vitet e ardhshme do të prodhojnë 350 megavat energji.
Ministri i Ekonimisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, kryesues me Këshillin, nga ana e tij tha se diskutimet në takimin e sotëm ishin të shkëlqyera, për të shtuar se Maqedonia pas marrjes së kryesimit të Bashkësisë Energjetike ka shlyer të gjitha detyrimet që kishte nga më herët.
“Të gjitha kontestet e hapura që kishim i mbyllëm me sukses bashkë me zëvendëskryeministrin Angjushev prandaj sot them lirisht se Republika e Maqedonisë është lidere në reformat që dalin si detyrim i pjesëmarrjes në Bashkësinë Energjetike”, tha Bekteshi.
Drejtorja për Politika Energjetike në Komisionin Evropian (KE), Megan Richards tha se prania e ministrave të Energjetikës dhe Ambientit flet për rëndësinë që ka tranzicioni energjetik dhe sundimi i së drejtës mbi Bashkësinë Energjetike.
Këshilli i gjashtëmbëdhjetë tha ajo, fokusin e vendosi tek modernizimi i Marrëveshjes së Bashkësisë Energjetike që është në kompetenca të Komisionit Evropian për të njoftuar palët për parimin e reciprocitetit, për të shtuar se fokusi në mbledhjen e radhës që do të mbahet në Katovice të Polonisë, do të jetë reduktimi i emetimit të gazrave serrë.
“Në Katovice të Polonisë do të kemi një diskutim shumë të rëndësishëm për mënyrën se si ta çojmë përpara strategjinë afatgjate për reduktimin e emetimit të gazrave serrë, për çka tashmë Komisioni Evropian të mërkurën miratoi strategjinë për reduktimin e gazrave, një temë e cila do të trajtohet në Bashkësinë Energjetike”, tha ajo.
Më herët gjatë debatit u tha se energjia e rinovueshme në Maqedoni përdoret minimalisht, një problem edhe i shteteve tjera dhe kjo çështje duhet të trajtohet seriozisht nga shkaku se bota nuk ka energji të mjaftueshme për nevojat e njerëzimit. Maqedonia u lavdërua për miratimin e një ligj për energjinë, por u tha se gjërat nuk janë përmirësuar, pasi mungon zbatimi në praktikë.