Övünç Kutlu
29 Nëntor 2018•Përditësim: 29 Nëntor 2018
NEW YORK (AA) - Çmimi i naftës së papërpunuar ka shënuar ulje të enjten si rezultat i rritjes së rezervave amerikane, ndërkohë që tensionet tregtare në prag të samitit G-20 vazhdojnë të shkaktojnë një shqetësim për investitorët për një rritje të ulët ekonomike, që për pasojë do të ketë një ndikim në kërkesën për naftë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Politikat dhe tarifat tregtare të presidentit amerikan, Donald Trump, mbi disa shtete, pritet të jenë një temë dominante e takimit të G20-tës, i cili do të fillojë të premten në Buenos Aires të Argjentinës.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse mbeten të pazgjidhura kontestet tregtare midis ekonomive të mëdha, veçanërisht midis SHBA-ve dhe Kinës, mund të pritet një ndikim negativ i tyre mbi rritjen globale të ekonomisë.
Rritja më e ulët e ekonomisë në rrafsh global mund të shkaktojë një ulje të kërkesës globale për naftë, thonë ekspertët, duke shtuar se furnizimi i cili vazhdimisht shënon rënie, do të ushtrojë një presion drejt rënies së çmimeve të naftës.
Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar, Brent, të enjten tregtohet me 58.90 dollarë për fuçi, një rënie prej 1.2 për qind, nga 59.64 dollarë sa ishte të mërkurën.
Marka amerikane West Texas Intermediate (WTI) kushton 50.38 dollarë për fuçi, me një rënie prej 0.4 për qind nga një ditë më parë.