SHKUP (АА) – Ish-anëtari i Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinën (BeH), ish-ministri boshnjak i Punëve të Jashtme dhe ish kryeministri Haris Silajxhiç, i cili për vete thekson se politikan ka qenë një kohë të caktuar ndërsa poet është tërë jetën, në një intervistë për Anadolu Agency (AA), theksoi pritjet e tij nga vendet e Ballkanit Perëndimor në rrafshin politik si dhe për jetën poetike.
Ndonëse opinioni më i gjerë e njeh si politikan i cili ka ushtruar poste të larta shtetërore në Bosnjë e Hercegovinë, profesori universitar me karrierë ndërkombëtare, Silajxhiq është poet. Ai këtyre ditëve qëndroi në Shkup për të promovuar përmbledhjen e tij me poezi “Sarjeça”, ku nuk e fshehu kënaqësinë e pranisë së madhe të personaliteteve të shquara të jetës publike, politike dhe akademike.
Ai kujtoi se me poezi merret tërë jetën, ndërsa me politikë, siç tha, një pjesë të jetës, duke përmendur një fakt se ka shumë politikanë që kanë qenë poetë dhe letrarë.
“Nëse flasim për politikë, ka shumë politikanë që kanë qenë poetë dhe letrarë. Në kohërat më të mira në Spanjë, Andaluzi, nuk mund të paramendohej që në krye të jetë një njeri që nuk di diçka për poezinë”, tha Silajxhiç, duke shtuar se në krahasim me politikën, në poezi ndjehet më natyrshëm dhe se në poezinë e tij më shpesh mbizotërojnë motivet e gjendjes së njeriut, poezi e cila, siç thekson, i rishqyrton vlerat e botës bashkëkohore.
Më pas Silajxhiç zbulon se ideja për promovimin e përmbledhjes së poezisë është e miqve të tij nga Shkupi. “Poezia tek unë është shumë më e vjetër se politika. Nga mosha 16 vjeçare fillova të shkruaj, ndërsa kur arrita pak më shumë kohë, tentova që ta mbledh atë që e shkrova dhe bëra një përmbledhje të poezive. Ka edhe të vjetra edhe të reja, shumë poezi të vjetra, populizëm poetik. Aty ky rima mund të jetë e bukur, nuk heq dorë prej saj, por poashtu edhe vargun e lirë, atë e kombinoj dhe ja kemi një poezi”, thekson Siljaxhiç.
- Ardhmëria e Ballkanit Perëndimor në BE-
“Nuk pres diçka ideale dhe ajo nuk është e mundur, por prej secilit vend në rajon pres të bëhet pjesë e Evropës dhe çdo vend njëkohësisht të kultivojë marrëdhënie të mira me vendet tjera për shkak të përmirësimit të kushteve të jetës në secilin prej vendeve. Nëse nuk na ndodh kjo, do t’i humbim gjeneratat e reja. Ata mund të gjejnë punë në Evropën Perëndimore, por kjo nuk duhet ndodhur, të rinjtë na duhen këtu", thekson ish-anëtari i Kryesisë së BeH-së dhe ish-ministri boshnjak i Punëve të Jashtme, Haris Silajxhiç.
Më pas duke folur rreth gjendjes së vendeve të rajonit, Silajxhiq thekson se ende ka populizëm dhe nacionalizëm, që përdoren si mjete për mbulimin e dështimeve dhe mungesë e Qeverisë për të zbatuar atë që janë të obliguar.
“Ka shumë populizëm meqë me populizëm dhe nacionalizëm më së miri fshihen mangësitë e një qeverie. Megjithatë, njerëzit kërkojnë gjëra konkrete, kërkojnë jetë normale, punësime, dëshirojnë të jenë sikur shoqëritë tjera të civilizuara demokratike”, thekson Silajxhiç.
Ai konsideron se BeH-ja ka mundur më shpejtë të avancojë në integrimet euroatlantike, me ç’rast si prioritet kulmor i BeH-së thekson se duhet të jenë këto procese. “Kemi mundur edhe më shpejtë të avancojmë, por na frenojnë disa gjëra. Mendoj se për BeH-në prioritet është të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Me këtë do t’i dërgohej mesazh mbarë rajonit. Ka këtu populistë, projekte që janë prodhim të ideologjive të këqija, ndërsa anëtarësimi në NATO do të dërgonte mesazh përfundimtar për këtë pozicion, me çka të gjitha ato ambicie që ende ekzistojnë e që janë joreale, BeH-ja mbeti edhe përkundër të gjitha forcave”, thotë ai.
- Qëllimi im kryesor ishte anëtarësimi i BeH-së në OKB -
Duke kujtuar ditët kur BeH-ja u bë anëtare e Kombeve të Bashkuara më 22 maj të vitit 1992, pikërisht kur ishte ministër i Punëve të Jashtme, Silajxhiç thekson se kjo gjë ua vështirësoi situatën agresorëve të cilët vrisnin civilë, por përskaj gjithë kësaj, shton ai, BeH mbeti vend sovran.
“Atë vit për fat të keq ndodhi agresioni në BeH. Unë atëbotë isha ministër i Punëve të Jashtme dhe qëllimi im kryesor ishte që BeH-ja të bëhet anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, dhe atë e arritëm më 22 maj të vitit 1992, por për fat të keq ndodhi agresioni mbi BeH-në, por tani ndaj anëtares së pranuar të OKB-së, gjë që ia vështirësoi situatën agresorëve dhe megjithatë solli që BeH të mbetet vend sovran. Kujtoj befasinë e njerëzve që e përjetonin atë. Me atë agresion, me atë plan që të vriten njerëzit, të deportohen…Ajo të gjithëve na befasoi. Ishte një situatë në të cilën njerëzit nuk ishin mentalisht të gatshëm ta përballojnë. Prosperiteti ynë në masë të madhe lidhet për veset, zakonet, kulturën, mentalitetin në përgjithësi. Nëse dëshirojmë ndryshime doemos do të duhet t’i ndryshojmë gjërat, para së gjithash me organizimin e energjisë së të rinjve”, tha Silajxhiç.
Më pas thekson se “Na nevojitet demokratizim i vërtetë, njerëzit vet të organizohen dhe të tentojnë t’i rregullojnë gjendjet duke u udhëhequr nga vlerat të cilat ne i kemi arritur si civilizim, para së gjithash sjelljes humane ndaj të ndryshmes dhe të tjerëve”.
- Për çdo lëvdatë është gjesti i Turqisë me pranimin e tre milionë refugjatëve -
Duke folur për Turqinë dhe aktivitetet e saj lidhur me krizën e refugjatëve, Silajxhiç nënvizon se është për çdo lëvdatë ajo që bëri Turqia, sepse, siç thekson, Turqia u siguroi jetë dinjitoze rreth tre milionë refugjatëve.
“Pa marrë parasysh se për cilin vend bëhet fjalë, në këtë rast Turiqa, e cila pranoi rreth tre milionë refugjatë dhe u siguroi jetë dinjitoze, është për çdo lëvdatë. Këtë mund ta them edhe për Gjermaninë, e cila jo vetëm këtyre njerëzve, por edhe Gjermanisë në të ardhmen do t’i sjellë prosperitet. Shikoni këta njerëz. Ata e bën Amerikën, Stiv Jobs ishte sirian edhe atë refugjat. Refugjatët e bën Amerikën dhe mund ta përmirësojnë Evropën. Dikun ekziston vullneti politik që kjo të ndërlidhet për terrorizëm, ka edhe raste të tilla. Shumë njerëz në Evropë kontribuan, që këta njerëz, të cilëve u ka mbetur vetëm dinjiteti, atë ta ruajnë. E mira kthehet. Ne jemi të civilizuar aq sa u kushtojmë vëmendje hallkës së dobët në shoqëri. Shoqëria e civilizuar i kushton vëmendje njeriut të pambrojtur në shoqëri, prandaj ata që pranuan refugjatët janë për çdo lëvdatë. Ka edhe të tillë që ngrenë mure, por ata nuk mund ta ndalojnë atë. Ekziston diçka që quhet drejtësi kozmike, nëse punën mirë, mirë edhe do të gjesh”, konsidon Silajxhiç.
news_share_descriptionsubscription_contact
