Erdal Türkoğlu
17 Maj 2016•Përditësim: 18 Maj 2016
HATAY (AA) - Rukije Abdullah e cila ndodhej në kampin Jermuk kur patën nisur vdekjet nga uria si pasojë e bllokadës së regjimit dhe në kohën kur ishte dhënë shpallja (fetvaja) se "mund të hahej mishi i maces" ka shpjeguar për ekipin e AA-së përjetimet dhe dramën në kamp, raporton Anadolu Agency (AA).
Abdullah ka vënë në dukje se njerëzit në Siri nuk po vriten vetëm me armë në luftën e cila vazhdon që prej 5 vitesh, por ata janë braktisur në vdekje duke u privuar edhe nga ushqimet dhe produktet themelore jetësore, në zonat të cilat ndodhen nën rrethimin e regjimit dhe forcave të milicëve në vend.
Abdullah ka pohuar se kampi Jermuk i cili ndodhet nën rrethimin e regjimit në mesin e vitit 2013 dhe ku përjetohet uria dhe sëmundjet vdekjeprurëse, është një prej zonave ku historia e sajë do të bëhet temë për filma dhe romane.
Ndër të tjera, Abdullah e cila tashmë ndodhet në Turqi është shprehur se 5 muaj më parë në një mënyrë ajo ka arritur të largohet nga kampi që ndodhet nën rrethim bashkë me 3 fëmijët e saj ku njëri prej tyre me aftësi të kufizuara dhe se nuk i ka harruar ende ato që ka jetuar në kampin të cilin ajo e quan "Xhehenem".
Duke vënë në dukje se uria, mungesat, frika dhe vdekja kanë nisur në muajin ramazan në vitin 2013, Abdullah ka theksuar se ajo ka qenë një prej personave me fat që është larguar nga kampi.
Gruaja e re 30 vjeçare duke transmetuar se kanë jetuar në kushte shumë të vështira ashtu si edhe njerëzit e tjerë, ndër të tjera ka thënë: "Ishim të privuar edhe nga produktet jetësore të cilat janë nevojë themelore për jetesë si buka apo sheqeri. Të gjeje këto produkte ishte ëndërr. Jo vetëm unë por gjithkush aty ishte si unë. Shumë fëmijë kanë humbur jetën nga uria. Vajza ime me aftësi të kufizuara ka vuajtur shumë vështirësi, gjendja e sajë u përkeqësua edhe më shumë".
Pasi ka theksuar se ditët e vështira për të kanë mbaruar, por se nuk do ti harrojë kurrë ato ditë të mbushura me makth, ku përveç rrethimit përballeshin edhe me bombardimet intensive Abdullah është shprehur më tej:
"Ishim të privuar madje edhe nga thërrimet e bukës. Veçanërisht 4 muajt e fundit në kamp i kemi kaluar vetëm me "supë uji". Për të mbushur barkun ujit i shtonim erëza . Ju ndoshta keni dëgjuar që njerëzit kanë ngrënë mish maceje, por unë i kam parë me sytë e mi. Kam parë që fëmijët në rrugë hanin copa kartoni. Kam parë që kërkonin ndonjë gjë për të ngrënë nga plehrat. Përreth nuk kishte asgjë, edhe sikur të kishte para nuk mund të gjeje asgjë. Regjimi na kishte vendosur një rrethim të tillë saqë asgjë nuk mund të hynte në kamp. Pas një viti nga rajoni Jelda u hap një korridor dhe hynë ndihma humanitare. Sigurisht që këto produkte mezi mjaftuan për njerëzit në Jelda dhe nuk teproi gjë. Kampi Jermuk është një vend që ka përjetuar më vështirë rrethimin, ashtu si Madaya dhe Guta. As edhe një e njëqindta nuk janë reflektuar në media dhe televizion ato që kanë ndodhur në kampin Jermuk. Fëmija të kërkon një kafshatë bukë dhe ti për 9 muaj me radhe nuk e siguron dot".
- "Ushqeheshim me bukë të mykur"
Duke shpjeguar se në ditët e para të rrethimit, gjenin copa buke të thata në shtëpitë e braktisura, Abdullah shtoi se këto copa buke i pastronin në zjarrin me dru pjesët e mykura dhe pasi i spërkatnin me "zahter" (trumzë-thymus) ushqenin fëmijët.
Pasi ka theksuar se në ditën në vijim ata nuk mund të gjenin më as edhe këto copa të bukës me myk Abdullah ka shtuar:
"Ky rrethim ka prekur kryesisht fëmijët. Ëndrra e një fëmije është të ngopet me ushqim dhe të luajë. Një herë edhe pse e dija se përreth nuk kishte asgjë, duke gënjyer veten dola të kërkoja se mos gjeja ndonjë ushqim gjatë bombardimeve. Fillova të mbledh barë. Aty kishte vetëm një lloj barishteje të cilën shumë presona u detyruan ta hanin dhe të cilët kanë humbur jetën. Teksa ecja vërejta një fëmijë që qante me të madhe. Në dorë kishte një copë letër dhe pa e hante duke e copëtuar. Fëmija ishte afërsisht 10 vjeç. Tha se nuk kishte gjetur gjë për të ngrënë dhe se po përpiqej për të shtypur urinë. Njëherë tjetër pashë një grup njerëzish që po rripnin një mace. Sado që të flas është e pamundur ta shpjegoj. Në kohën kur regjimi vendosi rrethimin jemi përballur me një trajtim aq të keq sa që edhe një kafshe nuk mund ti bëhet. Njerëzit më së shumit kanë humbur jetën nga uria se sa nga bombardimet. Kam parë njerëz të cilët janë rrëzuar menjëherë në rrugë duke ecur, duke humbur jetën nga uria dhe njerëz të dobësuar ku i kishin mbetur vetëm lëkura dhe kockat. Ndodheshim në një situatë të atillë saqë nuk i kushtonim më vëmendje bombardimeve. E vetmja gjë që dëshironim ishte të gjenim ndonjë gjë për të ngrënë dhe të ushqenim fëmijët. Njerëzit atje vdisnin njëri pas tjetrit. Për 9 muaj me radhë nuk kemi parë aspak bukë me sy, kemi ngrënë supë uji, barë dhe kartonë. Nuk e kisha menduar asnjëherë se do të mund të largohesha një ditë prej aty. Falënderuar qoftë Allahu që gjeta një rrugë dhe munda të dal nga ai vend i tmerrshëm".