Halit Süleyman
14 Korrik 2016•Përditësim: 15 Korrik 2016
DAMASK (AA) - Një park lojërash për fëmijë i pazakontë është ndërtuar në Gutën Lindore në afërsi të Damaskut. Fëmijët e ngujuar për shkak të luftës kalojnë pak momente të sigurta dhe të gëzueshme në parkun e ndërtuar nën tokë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kanë kaluar 5 vite nga nisja e luftës civile në Siri. Ajo fillojë me disa protesta për liri dhe u kthye në një luftë civile pas ndërhyrjes së dhunshme të regjimit të Asadit. Fëmijët janë pjesa më e prekur e kësaj popullsie e cila gjendet mes një lufte ku janë përdorur edhe armë të shkatërrimit në masë si, armë kimike, bomba fuçi, bomba vakumi, bomba fosfori dhe deri tek ato thërrmueset. Dhjetëra mijëra fëmijë humbën jetën nga sulmet e shumta të forcave ajrore të regjimit dhe të atyre ruse.
Aktivistët kanë punuar shumë në Siri që fëmijët, kjo pjesë e popullsisë që është më e prekura të gjejë pak rehati dhe çlodhje larg zhurmave dhe frikës së luftës.
Parku i nëndheshëm "Vendi i Fëmijëve" është një nga zgjidhjet e vogla që këto aktivistë kanë mundur të nxjerrin në pah. Guta Lindore ndodhet nën bombardime prej 4 vitesh. Për këtë arsye aktivistët menduan të ndërtojnë një park për fëmijët nën tokë. Ai është në një hapësirë prej një mijë metrash katrorë. Për të qenë më i sigurtë është forcuar me kolona betoni dhe ndriçohet me llamba të varura në tavanin e tij.