Sena Güler
11 Prill 2020•Përditësim: 12 Prill 2020
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Francë është rritur në 13.832, me 643 viktima të raportuara në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, kreu i shërbimit shëndetësor publik në Francë, Jerome Salomon, njoftoi se në 24 orët e fundit 3.114 persona u diagnostikuan me COVID-19, duke e çuar në 129.654 numrin e përgjithshëm të të prekurve nga koronavirusi.
Salomon njoftoi se në spitale po trajtohen 31.120 pacientë, përfshirë 6.883 në kujdes intensiv, ndërsa numri i të shëruarve ka shkuar në 39.391.
Nga ana tjetër, ministri francez i Punës, Muriel Penico, në rrjetet sociale njoftoi se 8 milionë njerëz në vend humbën punën për shkak të koronavirusit.
Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli Evropën epiqendër të re të këtij virusi pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza e koronavirusit.
Bazuar në shifrat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, pandemia ka vrarë rreth 104 mijë persona, ndërkohë mbi 1.7 milionë janë infektuar dhe afër 390 mijë janë shëruar.