Burak Dağ
18 prill 2020•Përditësim: 18 prill 2020
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka njoftuar se gjithsej 342 shtetas turq që jetojnë jashtë vendit kanë vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur për NTV, Çavuşoğlu theksoi se vendi i tij planifikon 105 fluturime të tjera për të kthyer në Turqi qytetarët e saj nga 72 vende të botës para fillimit të muajit të Ramazanit. Ai tha se deri më tani mbi 25 mijë shtetas turq nga 74 vende të ndryshme janë kthyer në Turqi.
Kryediplomati turk po ashtu tha se me kërkesë të Turqisë javën e ardhshme përmes një video-konference Komiteti Ekzekutiv i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik do të diskutojnë mbi pandeminë e koronavirusit.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizatata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, mbi 2.25 milionë raste të koronavirusit janë raportuar në mbarë botën, me rreth 157 mijë të vdekur dhe rreth 581 mijë të shëruar.