Burak Bir
21 shtator 2026•Përditësim: 21 shtator 2026
LONDËR (AA) - Ka pasur një rritje “reale” të problemeve të shëndetit mendor te fëmijët dhe të rinjtë, ku ankthi, depresioni, vetëlëndimi dhe çrregullimet e të ushqyerit janë problemet më të zakonshme, paralajmëroi një ekspert i fushës, transmeton Anadolu.
Tani është “më e vështirë të jesh i ri”, duke pasur parasysh pasigurinë ekonomike dhe atë të punësimit me të cilën përballen të rinjtë, si dhe sfidat që paraqesin rrjetet sociale, tha për BBC-në Peter Fonagy, kreu i një shqyrtimi të pavarur mbi shëndetin mendor, ADHD-në dhe autizmin.
Shqyrtimi u kërkua më pak se një vit më parë nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Wes Streeting, i cili kishte shprehur shqetësimin se të rinjtë po diagnostikohen së tepërmi dhe po “anashkalohen”.
Fonagy, 74 vjeç, tha se ankthi, depresioni, vetëlëndimi dhe çrregullimet e të ushqyerit janë problemet më të zakonshme të shëndetit mendor që prekin fëmijët dhe të rinjtë.
Raporti i tij mbi këtë çështje pritet të publikohet më vonë gjatë kësaj jave, ndërsa ai tha se është i shqetësuar se debati rreth ADHD-së dhe autizmit do të “errësojë” çështjen më të gjerë të shëndetit mendor.
Sipas BBC-së, më shumë se 100 ekspertë dhe familje me përvojë të problemeve të shëndetit mendor kanë punuar në hulumtimin së bashku me Fonagyn, i cili është gjithashtu psikolog klinik dhe këshilltar i Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS) në Angli.
Ai theksoi se raporti do të arrijë në përfundimin se rritja e problemeve të shëndetit mendor që nga vitet 1990 është “reale”, me rreth një në katër të rinj të moshës 16 deri në 24 vjeç që po përballen me probleme të tilla.
Ndërkohë, të dhënat e NHS-së sugjerojnë se numri i fëmijëve dhe të rinjve që janë në kontakt me shërbimet e shëndetit mendor në Angli është rritur me 50 për qind gjatë pesë viteve të fundit.
“Është më e vështirë të jesh i ri tani”, tha Fonagy, duke shtuar se kërkimi i tij “hedh poshtë idenë e një brezi të brishtë”.
“Jam i mahnitur nga mënyra se si janë përshtatur me një mjedis që është shumë më i vështirë nga ai me të cilin më është dashur të përballem mua ndonjëherë”, theksoi ai.