Emre Doğan
09 Shkurt 2017•Përditësim: 10 Shkurt 2017
STAMBOLL (AA) – UEFA ka përpiluar listën e futbollistëve që asnjëherë nuk janë ndëshkuar me karton të kuq në karrierën e tyre, mes të cilëve Raul Gonzalez, Michel Platini dhe Gary Lineker, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ueb faqen e UEFA-s është shpallur lista e futbollistëve aktivë dhe të pensionuar të cilët nuk janë ndëshkuar me karton të kuq në karrierën e tyre.
Futbollisti i klubit spanjoll Real Madrid, Raul Gonzalez, ka tërhequr vëmendje duke mos pranuar karton të kuq në 932 ndeshje të luajtur në klub, gjatë 17 viteve të karrierës së tij.
Futbollisti 39 vjeçar, i cili përveç në Real Madrid, ka luajtur edhe në Schalke 04 të Gjermanisë, si dhe në klubet Al-Sadat të Katarit dhe New York Cosmos të SHBA-ve, nuk është ndëshkuar me karton të kuq as në më shumë se 100 ndeshje të luajtur në fanellën e kombëtares mes viteve 1994-2006.
Në listë janë edhe Platini dhe Lineker
Emri i njohur i futbollit francez Michel Platini, i cili ka kryer detyrën e kryetarit të UEFA-së gjatë viteve 2007-2015 dhe ish-futbollisti anglez Gary Lineker janë ndër futbollistët që nuk janë dënuar me karton të kuq gjatë karrierës së tyre.
Fituesi i trefishtë i Topit të Artë (Ballon d'Or), Michel PLatini, në 655 ndeshje të luajtura në karrierën e tij me klubet dhe me kombëtaren e tij, asnjëherë nuk është larguar nga loja. 61-vjeçari Platini, ka fituar shumë kampionate me fanellën e Juventusit të Italisë, si dhe klubeve Nancy dhe Saint-Etienne të Francës.
Ish-futbollisti i kombëtares së Anglisë Gary Lineker, në 567 ndeshje të karrierës së tij 16 vjeçare nuk është dënuar me karton të kuq. Në ndeshjet e tij me fanellat e Leicester City, Everton dhe Tottenham të Anglisë, Barcelonës në Spanjë dhe Nagoya Grampos të Japonisë, 56-vjeçari Lineker ka shënuar 281 gola.
Edhe futbollistët që kanë paralajmëruar se do të pensionohen në fund të këtij sezoni, Philipp Lahm dhe Andres Iniesta, si dhe futbollistë të tjerë si Karim Benzema, Joao Moutinho, Damien Duff, Aaron Hughes dhe Marco Bode, gjithashtu janë në listën e futbollistëve që asnjëherë nuk janë ndëshkuar me karton të kuq.