Prishtinë (AA) – Më 22 korrik 2014, Federata Evropiane e Hendbollit në adresën e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) ka dërguar shkresën zyrtare ku thuhej se përfaqësuesja e Kosovës është përfshirë në hedhjen e shortit për garat kualifikuese për EURO 2018 në konkurrencën e meshkujve. Me këtë shkresë, faktikisht u zyrtarizua thyerja e izolimit të hendbollit dhe në përgjithësi sportit kosovar nga garat ndërkombëtare, e gjatë gati një çerek shekulli.
Që nga pavarësimi i sportit kosovar nga sporti i ish-Jugosllavisë, hendbollistët e Kosovës sikurse edhe sportistët e sporteve të tjera e kishin të pamundur të bëjnë gara në arenën ndërkombëtare, tregon kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini duke shtuar se pas luftës së vitit 1999, përsiatjet e sportit kosovar për pranim në institucionet ndërkombëtare, në ato evropiane dhe botërore, ishin të vështira dhe gati të pamundura për shkak të bllokimeve të shumta të cilat bëheshin nga ana e institucioneve sportive të Serbisë, gjerësisht, politika e Qeverisë së Serbisë dhe aleatëve të tyre që bllokonin çdo përpjekje të sportit kosovar për t’ju bashkuar familjeve sportive ndërkombëtare.
Në fakt, më 18 dhjetor 2004, në Kongresin e jashtëzakonshëm të EHF-së, FHK-ja u bë anëtare me të drejta të kushtëzuara dhe pati të drejtë të garojë vetëm me klube në kuadër të kupave evropiane dhe garave të organizuara nga EHF, por jo edhe me reprezentacione. Të arriturat 57-vjeçare të hendbollit të Kosovës, nga viti 1948, kur u themeluan skuadrat e para të hendbollit të madh, dhe më pas themelimi i ekipeve të hendbollit të vogël i cili luhet edhe sot në Kosovë dhe u paraqit gjatë viteve 1950-1951, nëpër salla, janë një histori e rëndësishme e sportit kosovar, evropian por edhe botëror. Kjo rrugë kaq e gjatë, gjatë shekullit 20 dhe fillimit të shekullit 21, u kurorëzua me pranimin e kushtëzuar në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF) dhe ishte hapi i parë i bërë me shumë mund, drejt pranimit të plotë.
Ndërkohë, gati një dekadë më vonë, më 8 korrik 2014, për Federatën e Hendbollit të Kosovës dhe në përgjithësi sportin kosovar erdhi lajmi më i mirë i mundshëm nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF), pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të IHF-it, që pas Kongresit, është organi më i lart vendimmarrës i këtij institucioni botëror të hendbollit: pranimi i Federatës së Hendbollit të Kosovës me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit.
“Ajo që ndodhi, në fakt, është vazhdimësi e gjitha atyre përpjekjeve disavjeçare dhe aktiviteteve të cilat i kemi pasur gjatë këtyre viteve, kontakteve, komunikimeve me Federatën Ndërkombëtare dhe Evropiane dhe po kurorëzohet me një situatë, atmosferë të re në sportin kosovar” tha për AA, Saraçini dhe shtoi se ishte e shumë e rëndësishme futja e Kosovës në kalendarin e shortit për kualifikimet e Kampionatit Evropian në Hendboll EHF 2018 për Meshkuj.
Sipas njeriut të parë të hendbollit kosovar, për hendbollin dhe në përgjithësi për sportin e Kosovës, po hapet një kapitull i ri. Kështu, sporti kosovar dhe hendbolli në veçanti po i hap edhe përfundimisht dyert e izolimit dhe tash po vjen koha e prezantimit të barabartë në arenën ndërkombëtare.
Më tutje, Saraçini tregoi se ishte shumë krenar kur, në shortin e hedhur për kualifikimet e EHF 2018 i cili u mbajt në Vjenë, për herë të parë në histori të hendbollit të Kosovës, prezantimi i Kosovës u bë me akronimin KOS dhe flamurin e Republikës së Kosovës, gjë të cilën shikuesit dhe dashamirët e hendbollit kanë mundur ta përcjellin drejtpërdrejtë përmes ekraneve televizive, në kanalin e EHF–it nga Vjena.
“Ne jemi në grup me Rumaninë dhe Italinë, dhe do të shohim që në muajin nëntor do ti kemi dy ndeshje me Rumaninë, ndërkaq vitin e ardhshëm me Italinë. Është një situatë e re, një mobilizim në kuadër të Federatës, me trajner, me gjithë ata të cilët janë të kyçur në procesin e përgatitjeve. natyrisht që ballafaqohemi me sfida të reja, sfida që nuk i kemi pasur më herët. Është moment historik, për arsye se për herë të parë, zyrtarisht, një reprezentacion i Kosovës merr pjesë në kualifikime për gara evropiane dhe është një përgjegjësi shumë e madhe në të cilën, jo vetëm Federata por edhe subjektet tjera, respektivisht, institucionet e vendit duhet të angazhohen.”
“Ndeshja e parë me Rumaninë do të jetë.. jemi mysafirë në Rumani, ndërkaq pas tre ditëve do të luajmë në Prishtinë dhe Prishtina si kryeqendër do të jetë vendi ku do të bëhet ai spektakël, Kosova me Rumaninë. Shpresojmë se do të kemi shumë shikues, shpresojmë se do të ketë një atmosferë jashtëzakonisht të mirë, duke marr parasysh atë që do të ndodh në Dublin, më datën 20 shtator. Po krijohet një atmosferë jashtëzakonisht e mirë sportive dhe besoj që edhe gjeneratat e ardhshme tashmë duhet të fillojnë të mendojnë dhe të lundrojnë, ashtu të them, në atë atmosferë sportive” tha kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini duke e potencuar rëndësinë historike të këtyre ndeshjeve dhe faktin se: Hendbolli është sporti i parë kolektiv i Kosovës që do të garojë si kombëtare në ngjarjen më të madhe evropiane.