PRISHTINË (AA) - Ndeshja miqësore ndërkombëtare Kosovë – Oman, do të zhvillohet të dielën më 7 shtator, në ora 16:00, në stadiumin e Prishtinës, ka bërë të ditur vendimin zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Sekretari i Përgjithshëm i saj, Eroll Salihu
Pas lejes së akorduar nga FIFA ndaj FFK-së, përfaqësuesja e Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Omanin në Prishtinë
Edhe pse paraprakisht ishte paralajmëruar mundësia që ndeshjen me Omanin, përfaqësuesja kosovare ta zhvilloj në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, sikurse dy miqësoret e para, në konferencën e sotme për shtyp, të mbajtur në Shtëpin e Sporteve në Prishtinë, Salihu publikoi dhe e arsyetoi vendimin e FFK-së që dueli të luhet në kryeqytet.
“Kemi vendosur që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë dhe për këtë kemi biseduar me drejtuesit e Komunës së Prishtinës, të ministrisë dhe faktorëve tjerë në mënyrë që të bëhen përgatitjet sa më të mira për ketë ndeshje jo vetëm në aspektin organizativ, por edhe në aspektin përmirësimit të infrastrukturës së vet stadiumit dhe kemi marrë premtimi se do të punohet në këtë drejtim. Kjo na bën më të lehtë punën e të gjithëve dhe besoj se edhe qasjen e medieve” ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Salihu .
Para kësaj ndeshjeje, Kosova ka zhvilluara dy ndeshje miqësore ndërkombëtare. Në duelin e parë me Haitin, Kosova luajti baraz pa gola (0:0), kurse duelin e dytë e humbi nga Turqia me rezultat të lartë 1:6. Kështu, pas dy rivalëve nga kontinenti amerikan dhe ai evropian, rivali i tretë do të jetë nga Azia.
Kombëtarja e futbollit e Omanit është e renditur e 67-ta në ranglistën botërore të FIFA-së, kurse në ranglistën e kombëtareve më të suksesshme të Azisë gjendet në pozitën e 7-të, para Australisë dhe Arabisë Saudite, të dyja këto, kombëtare të cilat janë pjesëmarrëse të rregullta në garat e Kupave Botërore, si përfaqësuese të kësaj pjese të planetit. Po ashtu, është interesant të thuhet se rivali i radhës i Kosovës, udhëhiqet nga ish trajneri i Lyon-it dhe PSG-së, selektori Paul le Guen.
Kombëtarja e Omanit, paraprakisht, më 7 gusht ka zhvilluar ndeshje miqësore me skuadrën e elitës së futbollit francez, Guingamp, duek pësuar me rezultat 2:1, por nuk ka pësuar humbje tjetër prej shtatorit të vitit 2013. Atëbotë, në Londër, Omani pësoi disfatë nga skuadra angleze Crystal Palace (0:2).