Merve Özlem Çakır
15 Prill 2023•Përditësim: 16 Prill 2023
Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë i Türkiye-s, Mustafa Varank njoftoi se është marrë sinjali i parë nga sateliti IMECE, raporton Anadolu.
Varank deklaroi në llogarinë e tij në rrjetet sociale se sateliti IMECE është vendosur në orbitën e tij.
Türkiye lëshoi sot me sukses satelitin e parë kombëtar të vëzhgimit të Tokës me rezolucion të lartë, të quajtur IMECE, në hapësirë.
Sateliti i parë i prodhuar nga Türkiye u lëshua mëngjesin e sotëm nga baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në shtetin amerikan të Kalifornisë. Sateliti u lansua nga raketa "Falcon 9" që i përket kompanisë Space X.
Me këtë lansim, Türkiye do të ketë për herë të parë në orbitë një kamerë satelitore elektro-optike me rezolucion të lartë. Orbita e IMECE do të përkojë me diellin në një lartësi prej 680 kilometrash dhe do të shërbejë në fushat e mbrojtjes, menaxhimit të fatkeqësive, mjedisit dhe urbanizimit, bujqësisë dhe pylltarisë.
Gjatë misionit pesëvjeçar, sateliti IMECE do të kapë imazhe nga e gjithë bota. IMECE, sateliti i parë kombëtar i Türkiye-s me rezolucion të lartë, u projektua dhe u zhvillua nga Instituti i Kërkimeve të Teknologjisë Hapësinore TUBITAK.