Ali Murat Alhas
09 gusht 2019•Përditësim: 11 gusht 2019
Është kompletuar restaurimi i karvansarajit më të madh, objektit ku ndalonin karvanët gjatë rrugëtimit të tyre, i ndërtuar gjatë periudhës së Selxhukëve të Anadollit, kështu që atraksioni historik tani pret turistët lokalë dhe ndërkombëtarë.
Karvansaraji Zazadin që ndodhet 22 kilometra nga Konya, qëndron si një prej ndërtesave më të rëndësishme të kësaj periudhe.
Bazuar në dokumentet historike, karvansaraji konsiderohej si një prej pikave më të rëndësishme tregtare të periudhës së tij, ndërsa ndërtimi i tij përfundoi në vitin 1237 nën qeverisjen e Giyaseddin Keyhusrev II, sulltanit selxhuk turk.
I dekoruar me zbukurime të stilit selxhuk, karvansaraji ishte ndalesë e zakonshme për udhëtarët në atë kohë. Ka gjithsej 24 dhoma, një banjo, depo dhe ahur për kafshët.
Me murit e tij të zbukuruar me gurë të gdhendur me dorë me ngjyrë kafe të errët dhe të ndriçuar, karvansaraji i kthen vizitorët në periudhën e Selxhukëve dhe i magjeps turistët vendas dhe ndërkombëtarë.
Hikmet Çetiner, operator turistik, për Anadolu Agency (AA) thotë se ndërtesa historike për një kohë ishte "harruar", mirëpo u riaktivizua në agjendën kulturore të Turqisë në vitin 2007 dhe tani mirëpret turistët pas restaurimit të plotë.
"Ai shihet si një prej artefakteve më të rëndësishme të selxhukëve në Turqi. Me qëllim që ta transformojmë në një destinacion të rëndësishëm, ne e kemi shndërruar karvansarajin në një muze jetese të selxhukëve dhe i kemi hapur dyert për turistët", thotë Çetiner.
Ai shtoi se vizitorët kanë mundësinë të shohin objektet autentike dhe dizajnet që pasqyrojnë periudhën e selxhukëve.
Ibrahim Genç, kryetari i drejtorisë së përgjithshme të fondacioneve të Konyas, thotë se është krenari për të që ta risjellë artefaktin antik në turizmin vendas.
"Është një destinacion i rëndësishëm në mesin e lokacioneve historike dhe turistike të provincës së Konyas. Shpresoj që do të tërheq vëmendjen që e meriton", thotë Genç.