Davut Demircan
06 Mars 2020•Përditësim: 06 Mars 2020
Turqia të enjten hodhi poshtë vendimet e fundit të Ligës Arabe të cilat përmbajnë akuza të pabaza kundër vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim, Ministria e Jashtme tha se Turqia hedh poshtë plotësisht të gjitha pretendimet dhe vendimet e pabaza të marra në një takim të Këshillit Ministror të mbajtur më 4 mars në Kajro, Egjipt.
"Vendi ynë gjithmonë ka respektuar dhe mbështetur integritetin territorial dhe unitetin politik të vendeve arabe dhe ka marrë një qëndrim konstruktiv në mënyrë që rajoni të mos nxitet në paqëndrueshmëri të mëtejshme", tha ministria.
Më pas u theksua se qëndrimi dhe përpjekjet konstruktive të Turqisë vlerësohen nga vendet arabe.
"Akuzat e pabaza të disa anëtarëve të Ligës Arabe ndaj vendit tonë janë kryesisht rezultat i përpjekjeve të tyre të kota për të mbuluar aktivitetet e tyre shkatërruese", thuhet në deklaratë.
Ministria tha se dihet se disa vende jo vetëm që qëndrojnë duarkryq, por gjithashtu mbështesin regjime, udhëheqës të milicisë dhe grupe terroriste që shkaktojnë fatkeqësi humanitare në disa vende arabe.
"Ne e ftojmë Ligën Arabe të luaj një rol pozitiv në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, në vend se të veprojë nën drejtimin e disa prej anëtarëve të saj, të cilët kanë një qëndrim armiqësor ndaj vendit tonë", thuhet më tej.