Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
06 Mars 2020•Përditësim: 09 Mars 2020
Turqia ka prolonguar Forumin e Diplomacisë në Antalya 2020 për shkak të shqetësimeve në rritje për koronavirusin (Covid-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, përmes një kumtese ka informuar se evenimenti dyditor që duhej të mbahej në qytetin turistik mesdhetar në datat 27-29 mars është prolonguar në përputhje me këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Virusi fillimisht u shfaq në Kinë në muajin dhjetor 2019 dhe është shpërndarë në mbi 80 shtete, duke infektuar rreth 98.000 persona dhe duke shkaktuar vdekjen e 3.381 personave.
Në kumtesë thuhet se pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19, ngjarjet ndërkombëtare, që përfshijnë edhe ngjarje të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, janë anuluar ose janë prolonguar.
"Në këtë kontekst, ndonëse nuk është raportuar ndonjë rast në vendin tonë, konsiderohet e përshtatshme që të shtyhet Forumi i Diplomacisë së Antalisë", thuhet në kumtesë.
Evenimenti duhej të fillonte si një mbledhje vjetore e niveleve të larta të profesionistëve që merren me diplomacinë, siç janë politikanët, diplomatët, opinionistët dhe akademikët. Tema e këtij viti ishte Diplomacia Digjitale.
Aktivitete të tjera të rëndësishme të anuluara nëpër botë përfshijnë Festivalin Ndërkombëtar të Gazetarisë në Itali, Kongresin Botëror Mobil (Mobile World Congress) në Spanjë dhe Panairin e Librit në Mbretërinë e Bashkuar.