Besar Ademi
16 Janar 2017•Përditësim: 16 Janar 2017
SHKUP (AA) – Moti në territorin e Maqedonisë aktualisht është kryesisht i vranët, në pjesën më të madhe të vendit me reshje të borës, ndërsa gjatë ditës do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje të përkohshme të borës, veçanërisht në pjesën perëndimore dhe jugore të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Komunikacioni në të gjitha rrugët po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa dhe me mbetje të borës nëpër rrugë, ndërsa intensiteti i komunikacionit në drejtimet rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Qarkullimi ajror dhe hekurudhor momentalisht zhvillohet pa ndalesa.
Për shkak të reshjeve të borës, prej orëve të mëngjesit në disa akse rrugore është vendosur ndalesë për qarkullim të automjeteve të rënda transportuese, si në qafën malore Pletvar, në rrugën magjistrale Ohër – Gostivar në qafat malore Strazhë dhe Presekë, si dhe në rrugën magjistrale Gostivar – Dibër.
Ndërkohë, aksi rrugor nga Makedonski Brod për në fshatin Zdunje në të cilin gravitojnë 11 fshatra, nuk është i kalueshëm për çdo lloj të komunikacionit.
Temperatura maksimale gjatë ditës së sotme do të arrijë deri në 1 gradë celsius. Në orët e mëngjesit temperaturat më të ulëta janë matur në Verovë ku kanë arritur deri në -12 gradë, ndërsa temperatura më e lartë ishte në Dojran me 1 gradë.