Emre Gürkan Abay
27 Dhjetor 2017•Përditësim: 28 Dhjetor 2017
MOSKË (AA) - Aktivisti opozitar rus dhe themeluesi i "Fondit Kundër Korrupsionit", Aleksei Navalny, i bëri thirrje popullit që të dalin në rrugë për të mbështetur thirrjen e tij për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale në Rusi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Navalny, në videon të cilën e publikoi në kanalin e tij në YouTube, ripërsëriti thirrjen për bojkot të zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen më 18 mars 2018 në Rusi.
Ai duke pohuar se është e pakuptimtë që të votohet në zgjedhje, tha se "Çështja e vetme që i intereson Kremlinit është që numri i atyre që do marrin pjesë në zgjedhje të duket i lartë. Në atë rast as nuk ka kuptim që të votohet në këto zgjedhje. Opsioni i vetëm i mbetur është bojkotimi i zgjedhjeve. Të gjithë popullin e Rusisë e thërras që të dalin në rrugë më 28 janar për të mbështetur vendimin e bojkotit".
Në një deklaratë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë ditën e hënë ishte theksuar se për shkak të akuzave për korrupsion dhe dënimit, Navalny nuk mund të kandidojë për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në përputhje me ligjin zgjedhor në Rusi.
Aktivisti i opozitës, blogeri dhe avokati Navalny, një nga figurat e shquara të demonstratave kundër presidentit të Rusisë Valdimir Putin, u dënua me burg në vitin 2014 për mashtrim.