Bekim Laci
07 Tetor 2016•Përditësim: 08 Tetor 2016
SHKUP (AA) - Shoqata e pacientëve “Nefron” e specializuar për sëmundjet e veshkave, përmes një konference për mediat ka shënuar “Ditën evropiane për dhurim të organeve” me moton “Eja të bisedojmë për të”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Shoqatës “Nefron”, Lubinko Trpenovski, tha se dhurimi i organit është një formë e veçantë e humanizmit pa të cilën nuk mund të realizohet transplantimi i organeve që mund të shpëtojë jetë njerëzish, por siç theksoi, perceptimi i përgjithshëm në botë kur përmendet fjala dhurim i organit nënkuptohet vetëm bartja e organit nga një i vdekur te një i gjallë.
Për këtë arsye tha ai, në bashkëpunim me Drejtorinë Evropiane për Mjekësi Cilësore, theksi i shënimit të Ditës së Dhurimit të Organeve është publikimi i broshurës me moton “Eja të bisedojmë për të”, ndërkohë është publikuar edhe formulari ku dhuruesi nënshkruan dëshirën e tij për të dhuruar organ.
“Në këtë ditë të veçantë shfrytëzojmë rastin të rrisim vetëdijen e qytetarëve tanë për nevojën për organe për transplant të cilat shpëtojnë jetë njerëzish duke i nxitur familjarët dhe të afërmit e të sëmurëve të dhurojnë organe sipas mundësive ose, nëse ndërron jetë ndonjë pjesëtar i familjes të japin pëlqimin e tyre për dhurimin e organeve”, tha Trpenovski i cili falënderoi stafin mjekësor në repartin e Nefrologjisë për përpjekjet e tyre në këtë drejtim.
Kryetari i Këshillit të Pacientëve të organizatës "Nefron, Dushko Georgiev, tha se "pacientët i kanë kërkesat e tyre mes të cilave sistem solid i tranplantimit kadaverik të veshkave sepse rreth 200 veshka në vit shkojnë në pakthim, formim i grupeve të punës në Ministrinë për Shëndetësi të cilat do të merren vetëm me transplantin e organeve, vendosjen të një fushata shtetërore e cila do të promovojë dhurimin e organeve, si dhe një sërë kërkesash siç është vendosja në listë të ilaçeve për të sëmurit në dializë."
Broshura e publikuar “Eja të bisedojmë për të”, jep përgjigje për pyetjet më të shpeshta që bëhen lidhur me dhurimin e organeve siç janë: Cilët organe më shpesh transplantohen, cilat transpalnte merren sot, kur personi mund t’i japë organet apo indet e tij, a ekziston minimumi i pleqërisë/moshës për të qenë organdhurues, ndërsa jep edhe sqarimin si mund personi të bëhet dhurues i organeve.